|
Postuar më:
|
Data e Mbylljes:
|
Nr.Komenteve: 16
|
Nr.Shikimeve: 1194
|
Statusi: Konsultim i hapur
Ky projektligj ka si synim kryesor përmirësimin e kuadrit ekzistues ligjor për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, nëpërmjet qartësimit, saktësimit e plotësimit të disa dispozitave ligjore në fuqi. Ky projektligj synon qartësimin dhe unifikimin e procedurave në lidhje me proceset kalimtare duke synuar përmirësimin në drejtim të përmbylljes së tyre. Në mënyrë të veçantë, ndryshimet kryesisht synojnë rritjen e efektivitetit të zbatimit të ligjit, përmes përshpejtimit të procedurave dhe eliminimit të pengesave që janë evidentuar në praktikë gjatë ushtrimit të veprimtarisë për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, si dhe forcimin e mekanizmave të verifikimit të titujve të pronësisë, për të garantuar transparencë dhe siguri juridike në funksion të interesit publik.
Përveç objektivave primarë si më sipër, nëpërmjet qartësimit, saktësimit e plotësimit për disa institute të ligjit aktualisht në fuqi, projektligji synon forcimin e mëtejshëm të rregullimit të marrëdhënies juridike të pronësisë, zbatimin e unifikuar të këtij legjislacioni, duke e harmonizuar me akte të tjera ligjore, të cilat rregullojnë zhvillimin e territorit me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të territorit dhe mbrojtjen e infrastrukturës publike.
Kontributet në kuadër të procesit të konsultimit dhe përmirësimit të përmbajtjes së projektligjit, do të përcillen nga institucionet e interesuara nëpërmjet postës elektronike drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, me anë të regjistrit elektronik në adresën http://www.konsultimipublik.gov.al, në adresën postare të Ministrisë së Drejtësisë “Bulevardi “Zogu I-rë”, Tiranë”, si dhe në adresën e emailit të koordinatorit për konsultimin publik Greis.Como@drejtesia.gov.al.
© Ministria e Drejtësisë 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Ju lutem krijoni me shume lehtesira me oborret qe jane ne vazhdimesi te shtepiave te ndertuara perpara viteve 1991.
Kam rastin kur mu ka prishur 50% e shtepise te ndertuar para 1991 per interes publik dhe nuk marr dot pronesine e oborrit me arsyen sepse nuk e ke shtepine e plote. Nuk quhet banese apo interpretime te tilla.
Sepse ligji aktual per oborret ne perdorim duhet qe banesa te kete funksion banimi.
Jemi ne proces gjygjesor me ATP per kete oborr dhe nuk merr fund kurre ky proces.
Te jepet nje lehtesi per ndertim ne kete siperfaqe pavarsisht se ceshtja vazhdon ne gjykate.
Perfituesi mund te jete shteti ose poseduesi sipas vendimit te gjykates.
Ju lutem na jepni nje zgjidhje kemi 35 vite qe presim.
Ju faleminderit!
Ju lutem të parashikohen më shumë lehtësi ligjore për oborret në përdorim, të cilat janë në vazhdimësi funksionale me banesa të ndërtuara përpara vitit 1991.
Në rastin tim konkret, rreth 50% e banesës së ndërtuar përpara vitit 1991 është prishur për shkak të një shpronësimi për interes publik. Për këtë arsye, aktualisht nuk mund të përfitoj kalimin në pronësi të oborrit në përdorim, me argumentin se banesa nuk ekziston më e plotë apo se pjesa e mbetur nuk konsiderohet më si banesë me funksion të plotë banimi.
Mendoj se kjo situatë krijon një padrejtësi, pasi zvogëlimi i sipërfaqes së banesës nuk ka ardhur si pasojë e veprimeve të poseduesit, por si rezultat i ndërhyrjes së shtetit për interes publik. Për këtë arsye, poseduesi nuk duhet të humbasë mundësinë për të përfituar pronësinë mbi oborrin që historikisht ka qenë në përdorim të banesës.
Për këtë sipërfaqe jemi prej vitesh në proces gjyqësor me Agjencinë e Trajtimit të Pronave (ATP), ndërkohë që procesi vazhdon të zgjasë pa një zgjidhje përfundimtare.
Do të ishte e nevojshme që ndryshimet ligjore të parashikonin një zgjidhje edhe për raste të tilla, për shembull duke lejuar vijimin e procedurës së kalimit në pronësi ose të së drejtës për zhvillim/ndërtim mbi këtë sipërfaqe edhe kur çështja e pronësisë është në proces gjyqësor, duke respektuar më pas vendimin përfundimtar të gjykatës. Në varësi të këtij vendimi, përfitues i së drejtës së pronësisë do të jetë shteti ose poseduesi.
Ju lutem të merret në konsideratë kjo kategori rastesh dhe të krijohet një mekanizëm ligjor që u jep zgjidhje familjeve që kanë pritur prej dekadash për rregullimin e statusit të pronës së tyre.
Në rastin tonë, kjo situatë vazhdon prej rreth 35 vitesh dhe kemi nevojë për një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare.
Ju faleminderit për shqyrtimin e kësaj kërkese.
Familja ime ka aplikuar për legalizim që në vitet 2005–2006 për një objekt të ndërtuar mbi tokën e një pronari tjetër. Në këtë objekt banojnë dy familje me certifikata familjare të veçanta dhe ushtrohet aktivitet ekonomik. Pas vdekjes së babait, të drejtat e tij i kemi trashëguar unë, nëna dhe vëllai.
Shqetësimi im kryesor lidhur me nenin 6 të projektligjit, që ndryshon nenin 29, është kushtëzimi i legalizimit me pranimin paraprak të strehimit sipas normave për familjet e pastreha, nëse nuk arrihet marrëveshje me pronarin ose investitorin.
Ky mekanizëm krijon një pabarazi në negociatë. Investitori mund të mos ketë interes të ofrojë më shumë se norma e strehimit, ndërsa familja përballet me përjashtimin nga legalizimi nëse nuk pranon deklaratën paraprake. Kështu, minimumi i strehimit rrezikon të kthehet në tavanin praktik të kompensimit, pa marrë parasysh sipërfaqen e ndërtesës, investimin familjar dhe humbjen e ambienteve të biznesit.
Për të mbrojtur familjet në këtë situatë, propozoj:
1. Legalizimi të mos kushtëzohet me pranimin paraprak të një kompensimi ende të papërcaktuar. Refuzimi i këtij pranimi të mos sjellë përjashtim nga legalizimi kur plotësohen kriteret e tjera ligjore.
2. Kompensimi të mbështetet në vlerësim të pavarur. Ligji të përcaktojë kritere transparente për vlerësimin e ndërtesës dhe të drejtave mbi të, duke veçuar truallin që i përket pronarit tjetër. Kompensimi të mos jetë më i ulët se vlera e përcaktuar sipas këtyre kritereve. Strehimi i përshtatshëm të mbetet garanci minimale për familjet që zhvendosen.
3. Të njihen familjet që banojnë realisht dhe veçmas në objekt. Trajtimi të mbështetet në banimin e provuar dhe dokumentacionin familjar, duke respektuar edhe të drejtat e trashëgimtarëve. Përbërja familjare të përditësohet deri në zhvendosje dhe në llogaritje të përfshihen të gjithë fëmijët, pavarësisht moshës.
4. Ambientet e biznesit të kenë trajtim të shprehur në ligj. Të përcaktohet kompensimi për këto ambiente, shpenzimet e zhvendosjes dhe ndërprerjen e dokumentuar të aktivitetit ekonomik.
5. Përpara lirimit ose prishjes të sigurohen garanci konkrete. Të përcaktohen banesat zëvendësuese, sipërfaqet neto, pronësia, afatet e dorëzimit, pagesa e qirasë gjatë pritjes dhe garancia financiare për përmbushjen e detyrimeve. Marrëveshja e parashikuar në nenin 5 të mos sjellë mbylljen e dosjes pa garantuar juridikisht këto të drejta.
6. Mosmarrëveshjet të kenë shqyrtim të pavarur dhe mbrojtje gjyqësore efektive, përfshirë mundësinë e pezullimit të prishjes kur rrezikohet dëm i pakthyeshëm. Për dosjet e vjetra të parashikohen garanci kalimtare që mbrojnë të drejtat e fituara dhe marrin parasysh pritjen e gjatë për vendimmarrje.
Kërkoj që këto garanci të përcaktohen shprehimisht në ligj. Zhvillimi i zonës duhet të realizohet duke respektuar pronarin e truallit, duke mundësuar investimin dhe duke siguruar trajtim të drejtë për familjet që kanë ndërtuar jetën dhe veprimtarinë e tyre aty.
pershendetje dhe ju uroj per iniciativen per plotesimin e disa mangesive dhe nevojave qe kane dal ne praktike per zbatimin e L20/2020.
jam avokat dhe ish draftues ligjesh ne adminsitraten publike.
dua te ngre nje shqetesim i cili mendoj se duhet te gjej reflektim ne L20/2020, ne lidhje me privatizimin e trojeve shteterore ne perdorim per objektet e ndertuara me leje ndertimi te leshuara nga organet vendore pas vitit 1991. nenet 61 e ne vijim te L20/2020 kane parashikuar kete te drejte POR kane ngritur nje pengese te madhe dhe diskriminuese ndaj ketyre shtetasve qe kane ndertuar me leje ne krahasim me shtetasit te cilet kane ndertuar pa leje dhe perfitojne nga legalzimi. diskriminimi negativ per keta shtetas eshte detyrimi i tyre per te paguar taksen e perdorimit te truallit qe prej marrjes se lejes se ndertimit nderkohe qe nuk kane patur asnjehere ndonje njoftim apo kontrate apo detyrim tatimor per kete qellim. fatutra qe u kerkohet te paguajne ketyre shtetasve eshte e stermadhe dhe e kalon disa here vleren e truallit. te pakten shteti nuk duhet te beje diskriminim negativ ndermjet shtetasve qe jane treguar korrekt me ligjin dhe shtetasve te cilet kane ndertuar pa leje. shtetasit qe kane ndertuar pa leje, u kerkohet maksimalisht te paguajne vleren e truallit sipas references, ndersa shtetasve qe kane ndertuar me leje, dhe per te cilet nuk eshte leshuar ndonjehere detyrim nga organet vendore, u kerkohet te paguajne taksen e truallit ne perdorim qe nga marrja e lejes, pra mbi 30 vjet gje qe eshte jo vetem diskriminuese por edhe e paperballueshme. ky parashikim eshte bere ne nenin 73 te L20/2020. pra propozimi im eshte qe te behet nderhyrje ne kete nen duke e shfuqizuar ate shprehimisht dhe duke hequr kerkesen per pagesen e kesaj takse e cila per me shume as nuk eshte gjeneruar ndonjehere nga bashkite.nga ana tjeter ligji i amnistise 86/2025 ne nenin 5 ka parashikuar nje modalitet per fshirjen e ketyre detyrimeve deri ne vitin 2014 e me pas pagesen e reduktuar te ketij tatimi. ndoshta do te duhet te behet reference ne nenin 73 te L20/2020 ku te percaktohet se amnistia perfitohet edhe ne rastin e parashikuar per privatizimin e trojeve ne perdorim per ndertimet me leje pas vitit 1991. keshtu te pakten subjektet perfituese do te viheshin ne te njejten peshore dhe shtetasit qe zbatojne ligjet e vendit nuk do te diskrimoheshin perseri nga zbatimi i ligjit.
ju faleminderit Rezart Tershana
shkresen bashkelidhur e kam nisur edhe me poste. shpresoj te ndihmoje ne kete permiresim ligjor.
I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar zotërinj Ministra,
I nderuar z. Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike,
Në kuadër të konsultimit publik të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 20/2020 ‘Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë’”, paraqes këtë kontribut me qëllim plotësimin e një problematike konkrete, e cila është shfaqur në praktikë gjatë zbatimit të ligjit nr. 20/2020 dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
E vlerësoj pozitivisht nismën për përmirësimin e ligjit nr. 20/2020, pasi ky ligj prek drejtpërdrejt një numër shumë të madh qytetarësh dhe synon mbylljen e proceseve kalimtare të pronësisë, të cilat për shumë vite kanë krijuar pasiguri juridike, kosto financiare dhe pengesa administrative. Megjithatë, në projektligjin e hedhur për konsultim publik nuk rezulton të jetë përfshirë një rregullim i nevojshëm për subjektet që kanë ngritur ndërtesa me leje ndërtimi, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991, mbi troje shtetërore.
Sipas kuadrit aktual, nenet 61 e vijues të ligjit nr. 20/2020 njohin të drejtën e kalimit të pronësisë mbi truallin shtetëror në përdorim edhe për këtë kategori subjektesh. Por neni 73 i ligjit, i lidhur me detyrimin për taksën e përdorimit të truallit, në praktikë ka krijuar një barrë të rëndë dhe disproporcionale, pasi qytetarëve u kërkohet pagesa e taksës së truallit në përdorim për një periudhë që në shumë raste fillon nga momenti i marrjes së lejes së ndërtimit, pra që nga vitet 1991 e në vijim, deri në ditën e aplikimit.
Kjo barrë nuk është thjesht e lartë në vlerë. Në shumë raste ajo tejkalon disa herë edhe vetë vlerën e truallit që kërkohet të privatizohet. Për më tepër, bëhet fjalë për detyrime që përgjithësisht nuk janë njoftuar rregullisht, nuk janë faturuar, nuk janë kontabilizuar në kohë nga organet vendore apo tatimore dhe nuk janë administruar ndaj qytetarëve si detyrim real i njohur prej tyre. Në këto kushte, kërkimi i pagesës së akumuluar për mbi 30 vjet krijon pasojë jo të drejtë, jo proporcionale dhe jo në përputhje me parimin e sigurisë juridike.
I. Problematika e trajtimit të pabarabartë
Problemi kryesor që kërkon ndërhyrje ligjore lidhet me trajtimin e pabarabartë të dy kategorive qytetarësh: nga njëra anë, qytetarët që kanë ndërtuar me leje ndërtimi të dhënë nga organet shtetërore ose vendore pas vitit 1991 dhe nga ana tjetër, qytetarët që kanë ndërtuar pa leje dhe përfitojnë nga procesi i legalizimit.
Në praktikë, qytetari që ka ndërtuar pa leje, në procedurat e legalizimit, detyrohet maksimalisht të paguajë vlerën e truallit sipas kritereve përkatëse. Ndërsa qytetari që ka ndërtuar me leje, pra që ka ndjekur rrugën ligjore dhe ka respektuar vendimmarrjen e organeve publike, përballet jo vetëm me pagesën e vlerës së truallit, por edhe me kërkesën për të paguar taksën e truallit në përdorim për dekada të tëra, pa qenë i njoftuar ndonjëherë për këtë detyrim.
Kjo qasje krijon një diskriminim negativ ndaj shtetasve që kanë vepruar në mirëbesim dhe në zbatim të ligjit. Shteti nuk mund të vendosë në pozitë më të pafavorshme qytetarin që ka kërkuar dhe ka marrë leje ndërtimi, në krahasim me atë që ka ndërtuar pa leje. Përkundrazi, sistemi ligjor duhet të ruajë një ekuilibër të arsyeshëm dhe të mos prodhojë pasoja që, në efekt praktik, ndëshkojnë sjelljen e ligjshme dhe favorizojnë sjelljen e paligjshme.
II. Nevoja për ndërhyrje të qartë në ligjin nr. 20/2020
Në vlerësimin tim, problematika nuk mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet interpretimit administrativ. Për sa kohë neni 73 vijon të prodhojë në praktikë detyrimin për pagesën e taksës së përdorimit të truallit, pa një kufizim të qartë ligjor dhe pa një mekanizëm të posaçëm lehtësues, administrata do të vijojë ta zbatojë atë në mënyrë formale dhe qytetarët do të mbeten të bllokuar në procesin e kalimit të pronësisë.
Për këtë arsye, projektligji aktual për ndryshimin e ligjit nr. 20/2020 është momenti i duhur për të ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ndërhyrja duhet të synojë që subjektet që kanë ndërtuar me leje pas datës 10.8.1991, dhe që kërkojnë kalimin në pronësi të truallit shtetëror në përdorim, të mos ngarkohen me detyrime të prapambetura për periudha shumëvjeçare, kur këto detyrime nuk janë njoftuar, faturuar ose kërkuar nga organet kompetente.
Ky rregullim do të ishte në përputhje me parimin e sigurisë juridike, parimin e barazisë përpara ligjit, parimin e proporcionalitetit, si dhe me parimin e mirëbesimit në marrëdhëniet ndërmjet qytetarit dhe administratës publike. Gjithashtu, ai do të shmangte konfliktet masive administrative dhe gjyqësore që mund të lindin nga zbatimi mekanik i nenit 73, duke i dhënë zgjidhje ligjore një problemi që tashmë është evident në praktikë.
III. Lidhja me ligjin nr. 86/2025 për fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore
Një arsye shtesë për ndërhyrje ligjore lidhet edhe me ligjin nr. 86/2025, i cili ka parashikuar fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore të papaguara për periudha të caktuara dhe lehtësi në pagesën e detyrimeve për periudhat pasuese, pra koherenca ndërmjet ligjeve. Për detyrimet vendore që i përkasin periudhave deri në datën 31.12.2014, ligji ka përdorur shprehimisht konceptin e fshirjes/shuarjes së detyrimeve, ndërsa për periudhat pas kësaj date ka parashikuar mekanizma lehtësues.
Megjithatë, për shkak të mungesës së një lidhjeje të qartë ndërmjet ligjit nr. 20/2020 dhe ligjit nr. 86/2025, administrata në terren ka tendencë të mos e zbatojë amnistinë tatimore në procedurat e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim. Kjo sjell pasojë të padrejtë për qytetarët dhe e bën të paefektshëm qëllimin lehtësues të ligjvënësit.
Për këtë arsye, në ligjin nr. 20/2020 duhet të parashikohet shprehimisht se, për procedurat e kalimit të pronësisë së truallit shtetëror në përdorim për ndërtesat e ngritura me leje ndërtimi pas datës 10.8.1991, detyrimet që lidhen me taksën e përdorimit të truallit trajtohen sipas rregullave të ligjit nr. 86/2025, duke përfshirë fshirjen/shuarjen për periudhat deri më 31.12.2014 dhe lehtësitë e pagesës për periudhat pas kësaj date.
IV. Propozim konkret
Për sa më sipër, propozohet që në projektligjin për ndryshimin e ligjit nr. 20/2020 të përfshihet një ndërhyrje e posaçme në nenin 73, ose një dispozitë kalimtare e posaçme, me këtë përmbajtje orientuese:
Në nenin 73 të ligjit nr. 20/2020, pas parashikimeve ekzistuese, propozohet të shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
“Për subjektet që kërkojnë kalimin në pronësi të truallit shtetëror në përdorim, mbi të cilin janë ngritur ndërtesa në bazë të lejeve të ndërtimit të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.08.1991, detyrimi për pagesën e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit nuk mund të përbëjë pengesë për vijimin e procedurës së privatizimit, për aq sa ky detyrim i përket periudhave të trajtuara nga legjislacioni për fshirjen, shuarjen ose lehtësimin e pagesës së detyrimeve tatimore.
Për këto subjekte, detyrimet që lidhen me taksën mbi të drejtën e përdorimit të truallit, për periudhat deri më datë 31.12.2014, konsiderohen të fshira ose të shuara, në përputhje me ligjin nr. 86/2025 ‘Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë’. Detyrimet që u përkasin periudhave pas kësaj date trajtohen sipas lehtësive, kushteve dhe afateve të parashikuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
Mungesa e faturimit, njoftimit, evidentimit ose kontabilizimit të mëparshëm të këtyre detyrimeve nga organet kompetente nuk mund të përdoret si shkak për përjashtimin e subjektit nga përfitimi i fshirjes, shuarjes ose lehtësimit të pagesës së detyrimeve, kur periudha dhe natyra e detyrimit përfshihen në fushën e zbatimit të ligjit nr. 86/2025.”
Në alternativë, nëse vlerësohet se taksa e përdorimit të truallit për këtë kategori subjektesh ka humbur arsyen e ekzistencës së saj në raport me qëllimin e ligjit nr. 20/2020, neni 73 mund të riformulohet duke përjashtuar shprehimisht detyrimin për pagesën e kësaj takse për subjektet që kanë ndërtuar me leje ndërtimi dhe që nuk janë njoftuar rregullisht për këtë detyrim gjatë periudhës përkatëse.
V. Përfundim
Përfshirja e këtij rregullimi në projektligj do të kishte efekt të drejtpërdrejtë në zhbllokimin e procedurave të privatizimit të truallit shtetëror në përdorim për një kategori të gjerë qytetarësh që kanë ndërtuar me leje, por që sot përballen me një barrë financiare të papërballueshme dhe të pabarabartë.
Zgjidhja e propozuar nuk synon favorizim të padrejtë, por rivendosje të ekuilibrit ndërmjet kategorive të qytetarëve, respektim të parimit të barazisë përpara ligjit dhe shmangie të një rezultati të padrejtë ku qytetari që ka ndërtuar me leje trajtohet më rëndë se qytetari që ka ndërtuar pa leje.
Duke qenë se projektligji është aktualisht në konsultim publik, kërkoj që kjo problematikë të merret në shqyrtim nga, me qëllim reflektimin e një dispozite të posaçme në tekstin përfundimtar të projektligjit.
Në këtë mënyrë, ndryshimet në ligjin nr. 20/2020 do të shërbejnë realisht për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, jo për krijimin e pengesave të reja administrative dhe financiare për qytetarët që kanë vepruar në përputhje me ligjin.
Pershendetje,
ky projektligj vazhdon te mos i jap peshen e duhur ndertimeve te ndertuara para gushtit 1991:
1) Neni 34 nuk e permend mundesine per te marre vendimin ne menyre te pershpejtuar, vetem VKM 827/2020 pika 7 e permend kete mundesi. Kjo krijon nje problem te madhe sepse drejtoret e drejtorive vendore nuk jane duke pranuar asnje kerkese sepse thojn qe nuk eshte e parashikuar nga ligji. Une e kam nje shkrese zyrtare nga drejtori i Durresit ku me thot shprehimisht "Nuk ekziston procedura e pershpejtuar", fjali qe komentohet vete.
2) Neni 82 i ligjit 20/2020 thot qe procedurat kalimtare mbarojne me 31 Dhjetor 2028, kjo data erdhi, shume qytetare jane te friksuar se cfare do te behet me pronat e tyre, do ishte mire qe ky projektligj ta shtynte kete date. Vetem ne Tirana Veri ka mijera aplikime per regjistrimin e shtepive te vjetra, por Tirana Veri ka mbi 3 vjet (korrik 2023) qe nuk ka nxjerre as edhe nje vendim te vetem per regjistrimin e tyre.
3) Ka shume ndertime te vjetra qe jane shembur, pika 11 e VKM 827/2020 pranon regjistrimin e ndertimeve te vjetra qe kane shembje te pjesme ose te mbulesesh, por ka shume ndertime qe kane pesuar shembje shume te rendesishme per shkak te vjetersise, do ishte e nevojshme te parashikohet ne keto raste regjistrimi i baneses sipas njolles ndertimore te certifikuar nga hartat e AQTN, ndryshe drejtorite vendore do vazhdojne te mos pranojne asnje nga keto ndertime.
Shume faleminderit
Mos na trajtoni më si ish pronarë,po jepini zgjidhjen e duhur pronarëve që kanë 40 vjet ne komunizëm që vuajn, dhe 35 vjet në demokraci i thënshin,zotria që e ka uzurpuar tokën me dhunë që ka shkelur dhe një nga kollonat e demokracisë siç është prona private dhe e ka përdorur atë tokë pa paguar qoftë një centez ti jepet vetëm një banesë sociale nga ai 3% që mban bashkia për strehim social,dhe ne si pronarë të vjetër që e kanë bler të parët tonë me napolona ari (monedhë) të na jepet çfar na takon. Prandaj mos të favorizohet urzupatori por proanri legjitim qe ka 80 vite që vuan, që nga koha Enverit,Saliut etc.
Dhe një gjë se për pak harrova, kush janë mekanizmat ligjorë nqs uzurpatori e lëshon këtë akt noterial dhe më pas nuk i përmbahet atij akti noterial,apo prap gjykata të endemi në për gjykata dhe 30 vite të tjera Ju lutem shumë mos u tallni me ne por jepini zgjidhjen e duhur kësajt çështje siç është prona private,mos bëni gabimet që bëri Sali komunisti ne pronarët.
Koment mbi nenin 9 të projektligjit dhe nevojën për plotësimin e neneve 59 dhe 60 të ligjit nr. 20/2020
E vlerësojmë pozitivisht ndryshimin e propozuar në nenin 9 të projektligjit, sipas të cilit institucionet shtetërore duhet të heqin dorë nga paditë e ngritura për pavlefshmërinë ose shfuqizimin e titujve në rastet që plotësojnë kushtet e nenit 59, pika 1, të ligjit nr. 20/2020.
Sikurse pranohet edhe në relacionin shoqërues, neni 59 konsideron të vlefshme aktet e pronësisë private të nxjerra nga institucionet shtetërore përpara hyrjes në fuqi të ligjit, pavarësisht parregullsive të formës, procedurës ose përmbajtjes, kur përfituesi e ka kaluar të drejtën e pronësisë te të tretët ose kur pasuria është zhvilluar në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Megjithatë, ndryshimi i propozuar në nenin 9 nuk është i mjaftueshëm për zgjidhjen e të gjitha rasteve të kësaj kategorie. Ai rregullon vetëm paditë e ngritura nga institucionet shtetërore përpara hyrjes në fuqi të ligjit, por nuk përcakton mënyrën se si duhet të veprojë ASHK-ja kur mbi një titull që plotëson kushtet e nenit 59 është vendosur kufizim administrativ dhe nuk është marrë një vendim përfundimtar për korrigjimin dhe konsolidimin e regjistrimit.
Në praktikë ekzistojnë raste kur akti fillestar i pronësisë është nxjerrë nga një institucion shtetëror, pasuria është pjesëtuar, është kaluar kundrejt shpërblimit te persona të tretë me kontratë noteriale dhe kontrata është regjistruar në regjistrin publik. Shumë vite më vonë, ASHK-ja ka vendosur kufizim me pretendimin se sipërfaqja e disponuar ndodhet brenda pronës së njohur, por jashtë sipërfaqes së kthyer fizikisht.
Në këto raste, personi i tretë është mbështetur në mirëbesim te akti shtetëror, kontrata noteriale dhe regjistri publik. Mbajtja e pakufizuar në kohë e kufizimit bie ndesh me qëllimin e nenit 59, me parimin e sigurisë juridike dhe me pritshmëritë e ligjshme që vetë RIA deklaron se synon të mbrojë.
Për këtë arsye propozojmë që neni 9 i projektligjit të mos kufizohet vetëm te heqja dorë nga paditë, por të parashikojë detyrimin e ASHK-së për të trajtuar administrativisht dhe përfundimisht titujt që plotësojnë kushtet e nenit 59.
Propozohet që në nenin 59, pas pikës 4, të shtohen pikat 5, 6, 7 dhe 8 me këtë përmbajtje:
“5. Në rastet e parashikuara në shkronjat ‘a’ dhe ‘b’ të pikës 1 të këtij neni, ASHK-ja kryen kryesisht ose me kërkesën e subjektit të interesuar verifikimin juridik, hartografik dhe faktik të pasurisë dhe merr vendim për konsolidimin e titullit, korrigjimin e të dhënave kadastrale dhe heqjen e kufizimeve të vendosura mbi pasurinë.
6. Kur parregullsia lidhet me mospërputhjen ndërmjet sipërfaqes së njohur dhe sipërfaqes së kthyer fizikisht me vendim të organit përgjegjës për kthimin dhe kompensimin e pronave, ASHK-ja rindërton paraqitjen grafike të të dyja sipërfaqeve duke administruar vendimin përkatës, planvendosjet, dokumentacionin arkivor, aktet e pjesëtimit, kontratat e kalimit të pronësisë, regjistrimet hipotekore dhe gjendjen faktike të posedimit.
Kur nga verifikimi rezulton se mospërputhja ka ardhur nga pasaktësia në hartografim, pozicionim, pjesëtim ose regjistrim dhe nuk cenohen të drejtat e një pronari tjetër, ASHK-ja korrigjon dokumentacionin hartografik, konsolidon regjistrimin dhe heq kufizimin mbi pasurinë.
7. Kur pasuria ndodhet jashtë sipërfaqes së kthyer fizikisht, por brenda sipërfaqes së njohur, dhe trualli është në pronësi shtetërore, i transferueshëm dhe pa një titull tjetër privat të vlefshëm, ASHK-ja përfundon procedurën e kalimit dhe konsolidimit të pronësisë në favor të fituesit të tretë në mirëbesim. Procedura, kriteret dhe regjimi i pagesës, kur është i zbatueshëm, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kalimi i pronësisë sipas kësaj pike bashkërendohet me Agjencinë e Trajtimit të Pronave, me qëllim që të ruhet e drejta e kompensimit për sipërfaqen e njohur dhe të pakthyer dhe të shmanget përfitimi i dyfishtë për të njëjtën sipërfaqe.
8. Procedura sipas pikave 5, 6 dhe 7 përfundon brenda 120 ditëve. Mungesa ose pasaktësia e dokumentacionit që duhej të krijohej, administrohej ose ruhej nga organet shtetërore nuk mund të përdoret si shkak për mbajtjen pa afat të kufizimit dhe nuk mund të rëndojë vetëm mbi fituesin e tretë në mirëbesim.”
Gjithashtu, propozojmë që neni 60 të plotësohet me këtë paragraf:
“Për zbatimin e këtij neni, si pasaktësi hartografike trajtohen edhe mospërputhjet në pozicionimin dhe konfigurimin e sipërfaqes së kthyer fizikisht me vendimet e organeve të kthimit dhe kompensimit të pronave, kur nga akti, dokumentacioni arkivor, pjesëtimi, posedimi dhe regjistrimet e mëvonshme mund të përcaktohet në mënyrë objektive pozicioni real i pasurisë. Korrigjimi kryhet vetëm kur nuk cenon një titull tjetër privat të vlefshëm ose një pronë publike të patjetërsueshme.”
Në RIA duhet të shtohet si grup i prekur edhe kategoria e personave të tretë që kanë fituar prona me kontrata noteriale dhe regjistrim publik, por që më pas janë përballur me kufizime për shkak të parregullsive të aktit fillestar ose të dokumentacionit hartografik.
Ndikimi i ndryshimit duhet të vlerësohet jo vetëm në drejtim të legalizimeve, por edhe në drejtim të:
* numrit të titujve të regjistruar që aktualisht kanë kufizime;
* kohëzgjatjes mesatare të këtyre kufizimeve;
* pasurive të nxjerra jashtë qarkullimit civil;
* kostove që u shkaktohen qytetarëve nga gabimet e administratës;
* ndikimit financiar të kalimit të tokës shtetërore ose të kompensimit në rastet kur konsolidimi është i pamundur.
Plotësimi i mësipërm do ta bënte efektive mbrojtjen që neni 59 u njeh të tretëve dhe do të krijonte një zgjidhje administrative përfundimtare, në vend të mbajtjes së pasurive nën kufizim për një periudhë të pacaktuar.
Të drejtat e fituara nga legalizimi dhe regjistrimi të mos cenohen.
Asnjë zhvillues/ndërtues të mos fitojë të drejtë mbi pronën pa pëlqimin e pronarit të regjistruar.
Në rast mbivendosjeje, të zgjidhet fillimisht konflikti i titujve, jo të përdoret konflikti për t'i dhënë avantazh një ndërtuesi.
Personi që ka legalizuar dhe ka investuar në objekt të ketë mbrojtje të veçantë juridike.
Të mos krijohet një mekanizëm ku një person që paraqitet si pronar mund të transferojë praktikisht të drejtën e zhvillimit te një ndërtues, ndërkohë që pronari/poseduesi real nuk ka dhënë pëlqim.
PROPOZIM PËR NDRYSHIMIN E NENIT 29
Objekti: Mbrojtja dhe trajtimi me përparësi i subjekteve informale që kanë paraqitur kërkesë për legalizim përpara krijimit ose regjistrimit të titullit të pronësisë së të tretëve mbi truallin.
Në kuadër të ndryshimeve të propozuara në nenin 29 të ligjit nr. 20/2020, propozoj që të shtohet një dispozitë e posaçme për rastet kur subjekti informal ka paraqitur kërkesë për legalizim në një kohë kur trualli nuk ishte i pajisur me dokumentacion pronësie në favor të personave të tretë.
Kërkoj që në ligj të parashikohet shprehimisht se:
“Në rastet kur subjekti informal ka paraqitur kërkesë për legalizim përpara datës së pajisjes, njohjes ose regjistrimit të titullit të pronësisë mbi truallin në favor të të tretëve, data e paraqitjes së kërkesës për legalizim merret në konsideratë si kriter për përparësinë e trajtimit administrativ të kërkesës.
Krijimi, njohja ose regjistrimi i mëvonshëm i titullit të pronësisë mbi truallin nuk përbën, në vetvete, shkak për përjashtimin e subjektit informal nga procedura e legalizimit, kur objekti dhe subjekti plotësojnë kushtet dhe kriteret e parashikuara nga ky ligj.
Në këto raste, ASHK-ja vlerëson gjendjen faktike dhe juridike të pasurisë në kohën e paraqitjes së kërkesës për legalizim dhe vijon procedurën administrative, sipas parashikimeve të këtij ligji.”
Arsyetimi i propozimit
Ky ndryshim synon të garantojë një trajtim të drejtë të subjekteve informale që kanë ndërmarrë procedurën e legalizimit në një kohë më të hershme, përpara se të krijohej ose regjistrohej titulli i pronësisë së personave të tretë mbi truallin.
Në rastin konkret, kërkesa për legalizim është paraqitur në vitin 2006, ndërsa dokumentacioni i pronësisë së personave të tretë mbi truallin është krijuar/regjistruar më vonë, në vitin 2010.
Subjekti informal nuk duhet të penalizohet për një situatë juridike të krijuar pas paraqitjes së kërkesës së tij për legalizim. Për këtë arsye, kërkohet që data e aplikimit për legalizim të ketë vlerë juridike në përcaktimin e përparësisë së trajtimit të procedurës.
Ky parashikim do të krijonte një rregull të qartë dhe transparent për rastet kur një subjekt informal ka aplikuar për legalizim përpara se personat e tretë të pajiseshin me dokumentacionin e pronësisë mbi truallin.
Kërkoj që ky propozim të merret në konsideratë gjatë shqyrtimit dhe miratimit të ndryshimeve të projektligjit.
Përshëndetje,
Mendoj se ky projektligj ende nuk u jep zgjidhje të plotë ndërtimeve të realizuara para muajit gusht 1991.
Kam aplikuar, bazuar në VKM nr. 827/2020, për regjistrimin e shtëpisë së ndërtuar në vitin 1985. Drejtoria Vendore e ASHK-së nuk mori në konsideratë vendimin e Këshillit të Bashkuar të vitit 1985 për dhënien e truallit dhe ndërtimin e banesës, por më përjashtoi nga procesi i regjistrimit duke u bazuar në një gabim të bërë nga ish-njësia e menaxhimit, e cila e kishte regjistruar pasurinë në emër të vëllait tim.
Megjithëse kam kërkuar korrigjimin e kartelës së pasurisë në përputhje me Ligjin nr. 111/2018, ASHK Lushnjë nuk e ka korrigjuar këtë gabim, pavarësisht tre urdhrave të Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK-së, të firmosura nga znj. Lorena Goxhobelli. Përkundrazi, më ka përjashtuar nga procesi i regjistrimit të shtëpisë.
Në janar 2025 aplikova për herë të dytë, në cilësinë e trashëgimtares së nënës sime. Edhe në këtë rast, ASHK Lushnjë vazhdon të zvarrisë procesin e regjistrimit, duke vendosur si kusht paraqitjen e kopjes origjinale të AMTP-së së vitit 1991 të nënës, vëllait dhe motrës.
AMTP-ja nuk gjendet në arkivin e ASHK Lushnjë dhe kopja që dispononin bashkëpronarët është humbur. Megjithatë, prona disponon Kartelën e Pasurisë nr. 7350, ZK 1380, dhe vetë ASHK Lushnjë ka pranuar zyrtarisht se kjo pasuri e ka origjinën nga AMTP nr. 5427. Gjithashtu, edhe Bashkia ka lëshuar vërtetim zyrtar ku konfirmohet se pronarët kanë përfituar tokën në vitin 1991 dhe janë pajisur me AMTP nr. 5427.
Po paraqes këto dy raste konkrete, të cilat janë bërë pengesë për regjistrimin e shtëpisë sime, të ndërtuar në vitin 1985 me vendim të Këshillit të Bashkuar. Kam paguar rregullisht taksat e banesës dhe të truallit, por edhe pas kaq vitesh ende nuk jam pajisur me dokumentin e pronësisë së shtëpisë.
Për këtë arsye, sugjeroj që projektligji të parashikojë qartë procedurat dhe zgjidhjet teknike për rastet kur dokumentet mungojnë, janë humbur ose nuk gjenden në arkiva, duke përcaktuar mënyrën se si institucionet duhet të veprojnë mbi bazën e dokumenteve të tjera zyrtare që vërtetojnë të drejtën e pronësisë. Në raste të tilla, mungesa e dokumentit origjinal nuk duhet të jetë pengesë absolute kur ekzistojnë prova të tjera zyrtare të lëshuara nga vetë institucionet shtetërore.
Në të dy rastet, unë si qytetare kam shpenzuar vlera të konsiderueshme monetare për aplikime, dokumentacion dhe procedura administrative, por ende nuk kam marrë një zgjidhje përfundimtare dhe as dokumentin e pronësisë. Kjo situatë ka sjellë kosto financiare, vonesa të pajustifikuara dhe pasiguri juridike për një pasuri që e posedoj dhe e përdor prej dekadash.
Ju faleminderit për vëmendjen dhe shpresoj që këto problematika të merren në konsideratë gjatë hartimit të ligjit, në mënyrë që qytetarët që ndodhen në situata të ngjashme të mos përballen me pengesa të panevojshme për të ushtruar të drejtën e tyre të pronës.
Me respekt.
KOMENT PËR KONSULTIMIN PUBLIK
Vërejtje dhe propozime për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 20/2020 «Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë»”
Të nderuar,
Duke vlerësuar nismën për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, dëshiroj të parashtroj disa vërejtje dhe propozime.
Përpjekja për përshpejtimin dhe thjeshtimin e këtyre proceseve është e mirëpritur dhe e domosdoshme.
Megjithatë, një kategori qytetarësh dhe një numër i konsiderueshëm çështjesh mbeten pa zgjidhje: regjistrimi i sipërfaqeve takuese të pronarëve të truallit në ndërtesat e ngritura me leje, kur ndërtuesi nuk ka përmbushur detyrimin kontraktor për kalimin e pronësisë.
Qëllimi i reformës nuk duhet të jetë vetëm mbyllja formale e dosjeve, por njohja dhe regjistrimi efektiv i të drejtave të ligjshme. Përfshirja e kësaj kategorie do të rivendoste ekuilibrin ndërmjet palëve, do të pakësonte proceset gjyqësore shumëvjeçare dhe do t’i jepte kuptim praktik përfundimit të proceseve të pronësisë.
Vërejtjet dhe propozimet e mëposhtme synojnë ta plotësojnë projektligjin pikërisht në këtë drejtim.
Një kategori që mbetet jashtë vëmendjes së projektligjit
Në një numër të konsiderueshëm ndërtesash të ngritura me leje ndërtimi, pjesët që u takojnë pronarëve të truallit kanë mbetur të paregjistruara prej vitesh dhe, në shumë raste, për më shumë se dy dekada. Shkaku është moskryerja e kalimit të pjesëve, një proces që në praktikë mbetet tërësisht i varur nga vullneti i ndërtuesit.
Në themel të kësaj gjendjeje qëndron një çekuilibër juridik dhe praktik që as legjislacioni i mëparshëm, as ai në fuqi dhe as projektligji i propozuar nuk e kanë korrigjuar.
Pasi ka kryer regjistrimet për ndërtesën, ndërtuesi ka mundësinë ta shfrytëzojë ose ta tjetërsojë pjesën e vet, pa përmbushur më parë detyrimin për kalimin e sipërfaqeve që i takojnë pronarit të truallit. Për rrjedhojë, vonesa nuk i sjell ndërtuesit pasoja të menjëhershme.
Pronari i truallit, përkundrazi, mbetet pa titull pronësie mbi pjesën që i takon dhe pa mundësinë për ta përdorur efektivisht atë. Në disa raste i është mohuar ose kufizuar hyrja në pronë; në të tjera, prona ka mbetur e pabanueshme ose e pashfrytëzueshme, sepse pa certifikatë pronësie nuk mund të sigurohen lidhjet me ujin dhe energjinë. Në çdo rast, mungesa e titullit e pengon pronarin ta shesë, dhurojë, vendosë si garanci ose t’ua kalojë trashëgimtarëve pasurinë, e jo vetë problemin.
E gjithë barra e vonesës rëndon kështu mbi pronarin e truallit.
Ky çekuilibër shpjegon zvarritjen shumëvjeçare të këtyre proceseve. Kur ndërtuesi nuk përballet me pasojat e vonesës, ndërsa pronari i truallit nuk ka në dispozicion një mekanizëm administrativ efektiv, mungon çdo shtysë reale për përfundimin e marrëdhënies.
Në këto kushte, pronarit të truallit nuk i mbetet rrugë tjetër përveç gjykatës dhe bëhet i varur nga një proces që zgjat me vite, madje me dekada. Shumë pronarë të moshuar nuk arrijnë ta shohin të përfunduar këtë gjatë jetës së tyre.
Projektligji ndërhyn gjerësisht në proceset e legalizimit dhe në procedurat e tjera kalimtare, por nuk parashikon një zgjidhje të posaçme për këtë kategori.
Për këtë arsye propozohet përfshirja në projektligj e një dispozite të posaçme, me këtë përmbajtje:
Propozim për një dispozitë të posaçme
Neni ____
Regjistrimi i pjesëve që i takojnë pronarit të truallit
1. Pronari i truallit, i cili nuk është pajisur me titull pronësie për pjesët takuese sipas kontratës truall–ndërtim, ka të drejtë t’i kërkojë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës regjistrimin e tyre pa pjesëmarrjen e mëtejshme të ndërtuesit, kur kontrata dhe dokumentacioni teknik e individualizojnë qartë pasurinë dhe pjesën takuese.
2. Kërkesës i bashkëlidhen dokumenti që provon pronësinë mbi truallin, kontrata truall–ndërtim, leja e ndërtimit, dokumentacioni teknik për njësitë takuese dhe çdo akt tjetër që provon të drejtën e kërkuesit.
3. ASHK-ja njofton palët e interesuara sipas parashikimeve të ligjit. Mosparaqitja e tyre brenda afatit të përcaktuar nuk e pengon vijimin e procedurës.
4. Mosmarrëveshjet financiare ndërmjet palëve nuk e pengojnë regjistrimin, kur e drejta e pronarit të truallit dhe njësitë që i takojnë përcaktohen qartë nga kontrata dhe dokumentacioni teknik. Pretendimet financiare shqyrtohen veçmas.
5. Çregjistrimi, likuidimi, falimentimi ose shuarja juridike e ndërtuesit apo investitorit nuk e pengon procedurën dhe nuk shuan të drejtat që pronari i truallit ka fituar në bazë të kontratës.
6. Shkelja e lejes së ndërtimit nga ndërtuesi nuk përbën shkak për mohimin e së drejtës së pronarit të truallit mbi njësitë që i takojnë sipas kontratës, kur pronari nuk ka marrë pjesë në shkelje dhe ka përmbushur detyrimet e veta kontraktore.
Plotësimi i nenit 7
Neni 7 i projektligjit parashikon se, kur ndërtuesi është shuar juridikisht dhe nuk ka të drejta reale mbi pronën që legalizohet, kjo legalizohet në favor të shtetit. Ky rregull duhet të shoqërohet me një përjashtim të qartë për rastet kur pronari i truallit paraqet një pretendim të dokumentuar mbi pronën.
Vetë projektligji parashikon që, kur ekziston mosmarrëveshje ndërmjet palëve për të drejtat mbi një njësi individuale, legalizimi mund të përfundojë pa u përcaktuar përfituesi, i cili përcaktohet pas zgjidhjes së konfliktit gjyqësor. I njëjti mekanizëm duhet të zbatohet edhe kur ndërtuesi është shuar juridikisht dhe mbi njësinë ekziston një pretendim i dokumentuar i pronarit të truallit.
Për këtë qëllim propozohet që në nenin 7 të shtohet parashikimi vijues:
Kur pronari i truallit paraqet kontratën truall–ndërtim dhe dokumentacionin teknik që provojnë një pretendim mbi pronën, procedura e legalizimit vijon pa e regjistruar atë në favor të shtetit dhe pa përcaktuar subjektin përfitues. Përfituesi përcaktohet pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes me marrëveshje ndërmjet palëve ose me vendim gjyqësor të formës së prerë. Deri në zgjidhjen përfundimtare të saj, prona nuk mund të tjetërsohet, të ngarkohet me të drejta reale ose të vihet në dispozicion të personave të tretë.
Ky përjashtim është i nevojshëm për të dalluar përgjegjësinë e ndërtuesit nga të drejtat e pronarit të truallit. Shuarja juridike e ndërtuesit dhe shkeljet e kryera prej tij nuk mund ta lënë pronarin vetëm me një pretendim kontraktor ndaj një subjekti që nuk ekziston më, ndërsa njësia mbi të cilën mbështetet pretendimi kalon në favor të shtetit.
Afati ligjor i vitit 2028
Relacioni i projektligjit përcakton vitin 2028 si afatin për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.
Përfundimi i proceseve brenda vitit 2028 nuk duhet të kuptohet si mbyllje formale e dosjeve të pazgjidhura, por si njohje dhe regjistrim efektiv i të drejtave të provuara me kontratë dhe dokumentacion teknik. Në të kundërt, afati do ta kthente mosveprimin e ndërtuesit dhe të administratës në një pasojë përfundimtare në dëm të pronarit e truallit.
Për këtë qëllim propozohet:
Asnjë kërkesë ose procedurë që lidhet me të drejtat e dokumentuara të pronarit të truallit nuk mund të mbyllet, të pushohet ose të konsiderohet e përfunduar vetëm për shkak të arritjes së afatit ligjor të vitit 2028, pa u shqyrtuar më parë pretendimi dhe dokumentacioni i paraqitur prej tij.
Rregullat e hollësishme për dokumentacionin, njoftimin, shqyrtimin dhe regjistrimin duhet të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave brenda një afati konkret të përcaktuar qartë nga hyrja në fuqi e ligjit.
Mungesa e këtij akti nuk mund të përdoret nga administrata si shkak për mospranimin ose mosshqyrtimin e kërkesave.
Miratimi i dispozitave të propozuara do të ishte një hap i rëndësishëm për mbrojtjen efektive të të drejtave mbi pronën lidhur me keto problematika dhe do të shmangte një numër të konsiderueshëm procesesh gjyqësore të gjata e të kushtueshme.
Jam e gatshme që, nëse vlerësohet e dobishme, t’i ilustroj problematikat e parashtruara me raste konkrete të problemeve lidhur me pronësinë në familjen time dhe të vë në dispozicion dokumentacionin përkatës. Këto raste tregojnë se boshllëqet e evidentuara nuk janë teorike, por prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta dhe të zgjatura mbi ushtrimin efektiv të së drejtës së pronësisë.
Me respekt,
Adela Kola
KOMENT PËR KONSULTIMIN PUBLIK
Vërejtje dhe propozime për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 20/2020 «Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë»”
Të nderuar, Duke vlerësuar nismën për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, dëshiroj të parashtroj disa vërejtje dhe propozime. Përpjekja për përshpejtimin dhe thjeshtimin e këtyre proceseve është e mirëpritur dhe e domosdoshme. Megjithatë, një kategori qytetarësh dhe një numër i konsiderueshëm çështjesh mbeten pa zgjidhje: regjistrimi i sipërfaqeve takuese të pronarëve të truallit në ndërtesat e ngritura me leje, kur ndërtuesi nuk ka përmbushur detyrimin kontraktor për kalimin e pronësisë. Qëllimi i reformës nuk duhet të jetë vetëm mbyllja formale e dosjeve, por njohja dhe regjistrimi efektiv i të drejtave të ligjshme. Përfshirja e kësaj kategorie do të rivendoste ekuilibrin ndërmjet palëve, do të pakësonte proceset gjyqësore shumëvjeçare dhe do t’i jepte kuptim praktik përfundimit të proceseve të pronësisë. Vërejtjet dhe propozimet e mëposhtme synojnë ta plotësojnë projektligjin pikërisht në këtë drejtim.
Një kategori që mbetet jashtë vëmendjes së projektligjit
Në një numër të konsiderueshëm ndërtesash të ngritura me leje ndërtimi, pjesët që u takojnë pronarëve të truallit kanë mbetur të paregjistruara prej vitesh dhe, në shumë raste, për më shumë se dy dekada. Shkaku është moskryerja e kalimit të pjesëve, një proces që në praktikë mbetet tërësisht i varur nga vullneti i ndërtuesit.
Në themel të kësaj gjendjeje qëndron një çekuilibër juridik dhe praktik që as legjislacioni i mëparshëm, as ai në fuqi dhe as projektligji i propozuar nuk e kanë korrigjuar.
Pasi ka kryer regjistrimet për ndërtesën, ndërtuesi ka mundësinë ta shfrytëzojë ose ta tjetërsojë pjesën e vet, pa përmbushur më parë detyrimin për kalimin e sipërfaqeve që i takojnë pronarit të truallit. Për rrjedhojë, vonesa nuk i sjell ndërtuesit pasoja të menjëhershme.
Pronari i truallit, përkundrazi, mbetet pa titull pronësie mbi pjesën që i takon dhe pa mundësinë për ta përdorur efektivisht atë. Në disa raste i është mohuar ose kufizuar hyrja në pronë; në të tjera, prona ka mbetur e pabanueshme ose e pashfrytëzueshme, sepse pa certifikatë pronësie nuk mund të sigurohen lidhjet me ujin dhe energjinë. Në çdo rast, mungesa e titullit e pengon pronarin ta shesë, dhurojë, vendosë si garanci ose t’ua kalojë trashëgimtarëve pasurinë, e jo vetë problemin. E gjithë barra e vonesës rëndon kështu mbi pronarin e truallit.
Ky çekuilibër shpjegon zvarritjen shumëvjeçare të këtyre proceseve. Kur ndërtuesi nuk përballet me pasojat e vonesës, ndërsa pronari i truallit nuk ka në dispozicion një mekanizëm administrativ efektiv, mungon çdo shtysë reale për përfundimin e marrëdhënies.
Në këto kushte, pronarit të truallit nuk i mbetet rrugë tjetër përveç gjykatës dhe bëhet i varur nga një proces që zgjat me vite, madje me dekada. Shumë pronarë të moshuar nuk arrijnë ta shohin të përfunduar këtë gjatë jetës së tyre.
Projektligji ndërhyn gjerësisht në proceset e legalizimit dhe në procedurat e tjera kalimtare, por nuk parashikon një zgjidhje të posaçme për këtë kategori.
Për këtë arsye propozohet përfshirja në projektligj e një dispozite të posaçme, me këtë përmbajtje:
Propozim për një dispozitë të posaçme
Neni ____ Regjistrimi i pjesëve që i takojnë pronarit të truallit
1. Pronari i truallit, i cili nuk është pajisur me titull pronësie për pjesët takuese sipas kontratës truall–ndërtim, ka të drejtë t’i kërkojë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës regjistrimin e tyre pa pjesëmarrjen e mëtejshme të ndërtuesit, kur kontrata dhe dokumentacioni teknik e individualizojnë qartë pasurinë dhe pjesën takuese.
2. Kërkesës i bashkëlidhen dokumenti që provon pronësinë mbi truallin, kontrata truall–ndërtim, leja e ndërtimit, dokumentacioni teknik për njësitë takuese dhe çdo akt tjetër që provon të drejtën e kërkuesit.
3. ASHK-ja njofton palët e interesuara sipas parashikimeve të ligjit. Mosparaqitja e tyre brenda afatit të përcaktuar nuk e pengon vijimin e procedurës.
4. Mosmarrëveshjet financiare ndërmjet palëve nuk e pengojnë regjistrimin, kur e drejta e pronarit të truallit dhe njësitë që i takojnë përcaktohen qartë nga kontrata dhe dokumentacioni teknik. Pretendimet financiare shqyrtohen veçmas.
5. Çregjistrimi, likuidimi, falimentimi ose shuarja juridike e ndërtuesit apo investitorit nuk e pengon procedurën dhe nuk shuan të drejtat që pronari i truallit ka fituar në bazë të kontratës.
6. Shkelja e lejes së ndërtimit nga ndërtuesi nuk përbën shkak për mohimin e së drejtës së pronarit të truallit mbi njësitë që i takojnë sipas kontratës, kur pronari nuk ka marrë pjesë në shkelje dhe ka përmbushur detyrimet e veta kontraktore.
Plotësimi i nenit 7
Neni 7 i projektligjit parashikon se, kur ndërtuesi është shuar juridikisht dhe nuk ka të drejta reale mbi pronën që legalizohet, kjo legalizohet në favor të shtetit. Ky rregull duhet të shoqërohet me një përjashtim të qartë për rastet kur pronari i truallit paraqet një pretendim të dokumentuar mbi pronën.
Vetë projektligji parashikon që, kur ekziston mosmarrëveshje ndërmjet palëve për të drejtat mbi një njësi individuale, legalizimi mund të përfundojë pa u përcaktuar përfituesi, i cili përcaktohet pas zgjidhjes së konfliktit gjyqësor.
I njëjti mekanizëm duhet të zbatohet edhe kur ndërtuesi është shuar juridikisht dhe mbi njësinë ekziston një pretendim i dokumentuar i pronarit të truallit.
Për këtë qëllim propozohet që në nenin 7 të shtohet parashikimi vijues:
Kur pronari i truallit paraqet kontratën truall–ndërtim dhe dokumentacionin teknik që provojnë një pretendim mbi pronën, procedura e legalizimit vijon pa e regjistruar atë në favor të shtetit dhe pa përcaktuar subjektin përfitues.
Përfituesi përcaktohet pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes me marrëveshje ndërmjet palëve ose me vendim gjyqësor të formës së prerë. Deri në zgjidhjen përfundimtare të saj, prona nuk mund të tjetërsohet, të ngarkohet me të drejta reale ose të vihet në dispozicion të personave të tretë.
Ky përjashtim është i nevojshëm për të dalluar përgjegjësinë e ndërtuesit nga të drejtat e pronarit të truallit. Shuarja juridike e ndërtuesit dhe shkeljet e kryera prej tij nuk mund ta lënë pronarin vetëm me një pretendim kontraktor ndaj një subjekti që nuk ekziston më, ndërsa prona mbi të cilën mbështetet pretendimi kalon në favor të shtetit.
Afati ligjor i vitit 2028
Relacioni i projektligjit përcakton vitin 2028 si afatin për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.
Përfundimi i proceseve brenda vitit 2028 nuk duhet të kuptohet si mbyllje formale e dosjeve të pazgjidhura, por si njohje dhe regjistrim efektiv i të drejtave të provuara me kontratë dhe dokumentacion teknik.
Në të kundërt, afati do ta kthente mosveprimin e ndërtuesit dhe të administratës në një pasojë përfundimtare në dëm të pronarit e truallit.
Për këtë qëllim propozohet:
Asnjë kërkesë ose procedurë që lidhet me të drejtat e dokumentuara të pronarit të truallit nuk mund të mbyllet, të pushohet ose të konsiderohet e përfunduar vetëm për shkak të arritjes së afatit ligjor të vitit 2028, pa u shqyrtuar më parë pretendimi dhe dokumentacioni i paraqitur prej tij.
Rregullat e hollësishme për dokumentacionin, njoftimin, shqyrtimin dhe regjistrimin duhet të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave brenda një afati konkret të përcaktuar qartë nga hyrja në fuqi e ligjit.
Mungesa e këtij akti nuk mund të përdoret nga administrata si shkak për mospranimin ose mosshqyrtimin e kërkesave.
Miratimi i dispozitave të propozuara do të ishte një hap i rëndësishëm për mbrojtjen efektive të të drejtave mbi pronën lidhur me keto problematika dhe do të shmangte një numër të konsiderueshëm procesesh gjyqësore të gjata e të kushtueshme.
Jam e gatshme që, nëse vlerësohet e dobishme, t’i ilustroj problematikat e parashtruara me raste konkrete të problemeve lidhur me pronësinë në familjen time dhe të vë në dispozicion dokumentacionin përkatës. Këto raste tregojnë se boshllëqet e evidentuara nuk janë teorike, por prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta dhe të zgjatura mbi ushtrimin efektiv të së drejtës së pronësisë.
Me respekt,
Adela Kola
Në kuadër të konsultimit publik për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 20/2020 ‘Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë’”, paraqes këtë koment me qëllim forcimin e sigurisë juridike dhe mbrojtjen e të drejtave që burojnë nga aktet dhe kontratat noteriale të regjistruara.
Propozoj që projektligji të plotësohet edhe me dy mekanizma të posaçëm që mungojnë në tekstin aktual.
1. Mbrojtja e të drejtave të pronarëve të truallit në marrëdhëniet me subjektet ndërtuese dhe investitore
Në praktikë ekzistojnë raste kur pronarët e truallit kanë lidhur kontrata noteriale me subjektin ndërtues/investitor, e kanë vendosur pronën në dispozicion të zhvillimit ndërtimor dhe kanë të përcaktuara pjesë takuese, njësi individuale ose sipërfaqe ndërtimore në objektin që do të ndërtohet.
Subjekti ndërtues/investitor, pasi përfiton lejen e ndërtimit, mund të vijojë ndërtimin, të lidhë kontrata me persona të tretë, të kryejë shitje ose të kërkojë regjistrime të mëtejshme, pa individualizuar dhe regjistruar më parë pjesët takuese të pronarëve të truallit. Kjo krijon pasiguri juridike, cenon ekuilibrin kontraktor dhe vështirëson mbrojtjen efektive të pronarëve, veçanërisht kur njësitë u kalojnë personave të tretë.
Për këtë arsye, propozoj që pas dispozitës që trajton mosmarrëveshjet ndërmjet subjektit ndërtues/investitor, poseduesve të njësive individuale dhe pronarëve të truallit, të shtohen këto parashikime:
“Në rastet kur pranë ASHK-së, autoritetit përgjegjës për zhvillimin e territorit ose në dosjen administrative rezulton e depozituar një kontratë sipërmarrjeje, kontratë porosie, kontratë shkëmbimi, marrëveshje zhvillimi apo çdo akt tjetër noterial ndërmjet pronarit të truallit dhe subjektit ndërtues/investitor, që parashikon kalimin e pjesëve takuese, njësive individuale ose sipërfaqeve ndërtimore në favor të pronarit të truallit, ASHK-ja administron aktin në dosjen përkatëse dhe pasqyron shënimin për ekzistencën e këtyre të drejtave në regjistrin kadastral. Kur është e nevojshme, ASHK-ja njofton edhe autoritetin përgjegjës për zhvillimin e territorit për pasqyrimin e aktit në dokumentacionin përkatës të lejes së ndërtimit.”
“Kur ndërmjet pronarit të truallit dhe subjektit ndërtues/investitor ekziston një mosmarrëveshje e dokumentuar lidhur me individualizimin, dorëzimin, regjistrimin ose përmbushjen e pjesëve takuese që burojnë nga aktet noteriale të depozituara, ASHK-ja nuk përcakton përfitues përfundimtar dhe nuk kryen regjistrime, kalime ose tjetërsime mbi njësitë apo pjesët konkrete që mund të cenojnë të drejtat e pretenduara të pronarit të truallit, deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me marrëveshje noteriale ndërmjet palëve ose me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Procedurat administrative mund të vijojnë për pjesën tjetër të objektit, për aq sa nuk cenohen të drejtat e pronarit të truallit dhe nuk preken njësitë ose pjesët që janë objekt i mosmarrëveshjes.”
Ky mekanizëm nuk synon bllokimin e të gjithë procedurës administrative apo të projektit ndërtimor dhe as t’i japë ASHK-së kompetencën për të zgjidhur mosmarrëveshje civile. Qëllimi është që ekzistenca e një akti noterial dhe e të drejtave të pronarit të truallit të mos mbetet e padukshme për regjistrat publikë, institucionet dhe personat e tretë.
Shënimi ose kufizimi duhet të jetë i përkohshëm, proporcional dhe i lidhur vetëm me njësitë apo pjesët konkrete që janë objekt i mosmarrëveshjes.
2. Zgjidhja e rasteve kur toka e blerë ndodhet në pronën e njohur, por jashtë pjesës së kthyer fizikisht
Propozoj që projektligji të përfshijë edhe rastet kur një sipërfaqe toke është blerë nga personat që rezultonin pronarë, me kontratë noteriale të rregullt, dhe është regjistruar në regjistrat hipotekorë, por më vonë konstatohet se sipërfaqja e blerë nuk ndodhet brenda pjesës së kthyer fizikisht, megjithëse përfshihet brenda sipërfaqes së njohur me vendim të ish-komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Blerësit në këto raste kanë vepruar në mirëbesim dhe janë mbështetur te vendimi i pronësisë, aktet e pjesëtimit, kontrata noteriale dhe regjistrimi i kryer nga vetë organet shtetërore. Ata nuk duhet të mbajnë të vetëm pasojat e pasaktësive në dokumentacionin fillestar, në pozicionimin hartografik ose në regjistrat e administruar nga institucionet publike.
Për këto raste, ligji duhet të parashikojë një procedurë të qartë administrative, nëpërmjet së cilës ASHK-ja të verifikojë vendimin e njohjes dhe kthimit të pronës, planvendosjet, dokumentacionin arkivor, aktet e pjesëtimit, kontratat noteriale, regjistrimet hipotekore dhe gjendjen faktike të pasurisë.
Në përfundim të verifikimit, ASHK-ja duhet të japë një zgjidhje përfundimtare sipas statusit juridik të tokës:
a) kur mospërputhja buron nga një pasaktësi në hartografim, pozicionim, pjesëtim ose regjistrim dhe nuk cenohen të drejtat e një pronari tjetër, të korrigjojë dokumentacionin, të konsolidojë titullin dhe të heqë kufizimin;
b) kur toka ndodhet jashtë pjesës së kthyer fizikisht, por është pronë shtetërore e transferueshme dhe mbi të nuk ekziston një titull tjetër privat i vlefshëm, të mundësojë kalimin dhe konsolidimin e pronësisë në favor të blerësit në mirëbesim, kundrejt pagesës kur kjo kërkohet nga ligji;
c) kur toka i përket një personi tjetër privat ose është pronë publike e patjetërsueshme, të parashikojë kompensim të drejtë ose pasuri zëvendësuese për blerësin në mirëbesim.
Procedura duhet të përfundojë brenda një afati të përcaktuar ligjor dhe kufizimi mbi pasurinë nuk duhet të mbahet për një periudhë të pacaktuar. Mungesa, dëmtimi ose pasaktësia e dokumentacionit që duhej të krijohej, administrohej dhe ruhej nga institucionet shtetërore nuk duhet të rëndojë vetëm mbi qytetarin.
Përfundimisht, kërkoj që projektligji të plotësohet me dispozita të qarta për:
• administrimin dhe pasqyrimin e të drejtave që burojnë nga marrëveshjet noteriale ndërmjet pronarëve të truallit dhe subjekteve ndërtuese/investitore;
• mbrojtjen e përkohshme dhe proporcionale të njësive ose pjesëve takuese të pronarëve të truallit;
• trajtimin e blerësve në mirëbesim që kanë blerë dhe regjistruar tokë brenda pronës së njohur, por jashtë pjesës së kthyer fizikisht;
• përcaktimin e zgjidhjes përfundimtare përmes korrigjimit, konsolidimit, kalimit të pronësisë ose kompensimit, sipas statusit juridik të tokës.
Këto ndryshime do të krijonin një ekuilibër të drejtë ndërmjet vijimit të procedurave administrative, mbrojtjes së pronës private, respektimit të kontratave noteriale, transparencës ndaj personave të tretë dhe sigurisë juridike në qarkullimin civil.
Në kuadër të konsultimit publik për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 20/2020 ‘Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë’"
Lidhur me mbrojtjen e të drejtave të pronarëve të truallit në rastin e mospërmbushjes së detyrimit për lidhjen dhe regjistrimin e kontratave përfundimtare.
1. Parashtrimi i problematikës praktike dhe juridike
Në sektorin e ndërtimit dhe zhvillimit të pronës private me leje të rregullt ndërtimi, konstatohet një disbalancë e rëndë kontraktore ndërmjet pronarëve të truallit dhe subjekteve zhvilluese/investitore. Pronarët e tokës vënë në dispozicion pronën e tyre mbi bazën e një kontrate paraprake sipërmarrjeje apo zhvillimi, ku përcaktohet përqindja për pjesën takuese por jo përcaktimi i saktë i tyre, ky i fundit përcaktohet pas daljes së lejes së ndërtimit.
Megjithatë, pasi investitori pajiset me leje ndërtimi dhe nis punimet, ai fillon menjëherë tjetërsimin (shitjen apo premtim-shitjen) e njësive ndërtimore te blerësit e tretë, ndërkohë që refuzon apo shtyn pa afat lidhjen e kontratës përfundimtare me pronarin e truallit për kalimin e pjesëve takuese. Kjo i lë pronarët e tokës pa titull pronësie mbi sipërfaqet që u takojnë. Mungesa e një mekanizmi bllokues administrativ e detyron pronarin e tokës t'i drejtohet proceseve të zgjatura gjyqësore, ndërsa investitori vjel të ardhura nga shitjet te të tretët pa mbyllur detyrimet me pronarin e truallit.
2. Arsyetimi me parimet e sigurisë juridike dhe të drejtës së pronës
Kjo situatë krijon cenim të drejtpërdrejtë të parimit të sigurisë juridike dhe mbrojtjes së pronës private. Në frymën e mbrojtjes së marrëveshjeve noteriale të lidhura me vullnet të lirë me pronarin e ligjshëm, si dhe të funksionit rregullator të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), kuadri ligjor duhet të parashikojë masa administrative mbrojtëse të menjëhershme. ASHK-ja nuk duhet të lejojë tjetërsimin e pasurive ndërtimore te të tretët nëse investitori nuk ka përmbushur më parë detyrimet kontraktore ndaj pronarit të truallit mbi bazën e të cilit ka përfituar të drejtën e zhvillimit.
3. Mekanizmat detyrues dhe pengues të propozuar
Nga kuadri aktual rezulton se ASHK tashmë pasqyron kontratën ndërmjet zhvilluesit dhe pronarit të truallit në regjistrin e lejes së ndërtimit. Udhëzimi parashikon gjithashtu verifikime mbi individualizimin e njësive dhe regjistrimin përfundimtar pas realizimit të kontratave përkatëse. Kjo krijon një bazë të mirë për të argumentuar se nevojitet një mekanizëm i qartë bllokues, jo thjesht një detyrim deklarativ ndaj ndërtuesit.
Në këtë drejtim, propozohet që, pas përfundimit të ndërtimit dhe individualizimit të njësive sipas dokumentacionit teknik dhe kontratës së sipërmarrjes, të jetë e detyrueshme lidhja dhe regjistrimi i kontratave përfundimtare ndërmjet zhvilluesit dhe pronarëve të truallit, në të cilat të përcaktohen qartë njësitë dhe sipërfaqet që i takojnë secilit pronar referua projektit të miratuar në lejen e ndërtimit, kjo të shoqërohet me kufizimet përkatëse ndaj palës ndërtuese.
Ky mekanizëm nuk duhet të konsiderohet si një kufizim i pajustifikuar i veprimtarisë së zhvilluesit, por si një instrument për të garantuar respektimin e të drejtave që vetë zhvilluesi ka pranuar në kontratën e sipërmarrjes. Në thelb, zhvilluesi nuk duhet të ketë mundësi të disponojë lirisht me njësi të cilat, sipas marrëveshjes së lidhur me pronarët e truallit, rezultojnë se u takojnë këtyre të fundit.
Për rastet në të cilat kontratat e premtimshitjes ose shitjes ndërmjet zhvilluesit dhe blerësve janë lidhur përpara hyrjes në fuqi të këtij rregullimi, duhet të parashikohet një dispozitë kalimtare.
Qëllimi i kësaj dispozite nuk është cënimi i të drejtave të fituara të blerësve të tretë, por detyrimi i zhvilluesit për të përfunduar më parë marrëdhënien juridike me pronarët e truallit.
Për këtë kategori rastesh, propozohet që, kur rezulton se zhvilluesi ka lidhur kontrata me blerës të tretë, por nuk ka realizuar kontratat përfundimtare me pronarët e truallit sipas detyrimeve të marra përsipër, procedura e regjistrimit të akteve të mëvonshme të kalimit të pronësisë të pezullohet deri në momentin e përmbushjes dhe regjistrimit të detyrimit të zhvilluesit ndaj pronarëve të truallit.
1. Bllokimi Administrativ nga ASHK – Me depozitimin e kontratës paraprake të sipërmarrjes/zhvillimit nga pronari i tokës, ASHK-ja duhet të ngarkohet të identifikojë dhe të vendosë shënim bllokues (kufizim) në kartelën e pasurisë/objektit për të gjithë sipërfaqen takuese të pronarit të truallit.
2. Kushtëzimi i Shitjeve te të Tretët – Kushtëzohet regjistrimi i çdo kontrate porosie, premtim-shitjeje apo akti tjetërsimi ndërmjet investitorit dhe blerësve të tretë në ASHK deri në regjistrimin e kontratës përfundimtare të pjesëve takuese ndërmjet ndërtuesit dhe pronarit/ve të truallit.
3. Pezullimi për Rastet Kalimtare – Për rastet ku investitori ka lidhur shitje me të tretët përpara hyrjes në fuqi të ligjit pa mbyllur marrëveshjen me pronarin e tokës, ASHK-ja detyrohet të pezullojë regjistrimin e këtyre kontratave deri në regjistrimin e kontratës përfundimtare me pronarin e truallit.
Koment lidhur me nenin 9 të projektligjit dhe nevojën për plotësimin e neneve 59 dhe 60 të ligjit nr. 20/2020
Lidhur me adresimin e një problematike kritike praktike që lidhet me mbrojtjen e të drejtave të blerësve në mirëbesim të pasurive të paluajtshme vërehet një boshllëk rregullator për rastet kur përmbushen njëkohësisht këto kushte faktike dhe juridike:
• Blerja me titull të rregullt: Pasuria është blerë nga shtetasit me kontratë të rregullt noteriale tjetërsimi, nga ish-pronari, dhe është regjistruar rregullisht në regjistrat publikë hipotekorë (p.sh. rreth viteve ‘90).
• Veprimi në mirëbesim në kushtet e mungesës së regjistrave elektronikë: Në kohën e kryerjes së transaksionit financiar dhe noterial, nuk ekzistonin regjistra elektronikë, harta kadastrale të digjitalizuara apo sisteme të avancuara informacioni. Blerësit kanë vepruar në mirëbesim të plotë, duke u mbështetur në dokumentet zyrtare të pronësisë dhe regjistrimin e kryer nga vetë organet shtetërore.
• Më vonë është konstatuar se sipërfaqja e blerë ndodhet brenda territorit të pronës së njohur me vendim të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (KKKP), por jashtë sipërfaqes së kthyer fizikisht
Zgjidhja e këtij konflikti duhet të mbështetet në parimet themelore të ligjit nr. 20/2020 dhe kuadrit ligjor në fuqi, por pavarësisht këtyre parimeve, projektligji aktual nuk e adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë kategori specifike blerësish në mirëbesim, duke lënë hapësirë për interpretime të ndryshme administrative dhe gjyqësore.
Blerësit që kanë fituar pasurinë me kontratë të rregullt noteriale nga vetë pronari i regjistruar dhe e kanë pasqyruar atë në regjistrat publikë, duhet të mbrohen në mbështetje të parimit të sigurisë juridike. Në rastet kur sipërfaqja e shitur ndodhet brenda pronës së njohur nga ish-KKKP-ja, por jashtë pjesës së kthyer fizikisht, projektligji duhet të ngarkojë shprehimisht ASHK-në për zgjidhjen administrative të kësaj situate. ASHK-ja duhet të detyrohet ligjërisht të kryejë fshirjen e shënimeve kufizuese dhe lëshimin e certifikatës së pronësisë për blerësin në mirëbesim, duke shmangur hapjen e proceseve të zgjatura dhe me kosto gjyqësore
Në mbështetje të parimit të sigurisë juridike dhe me qëllim parandalimin e konflikteve gjyqësore, propozoj që në Nenin 59 të Ligjit nr. 20/2020 (ose në Nenin 9 të Projektligjit që amendon Nenin 59) të shtohet një pikë në të cilën të:
“Konsiderohen të vlefshme kontratat noteriale të tjetërsimit të pasurive të paluajtshme të regjistruara në regjistrat publikë të pasurive të paluajtshme përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, në favor të blerësve, në rastet kur pasuria ndodhet brenda sipërfaqes së njohur me vendim të organit kompetent për kthimin dhe kompensimin e pronave, por jashtë sipërfaqes së kthyer fizikisht atij.
Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) që, me kërkesë të subjektit apo kryesisht, të kryejë me procedurë administrative fshirjen e shënimeve kufizuese dhe regjistrimin përfundimtar të titullit të pronësisë në favor të blerësit në mirëbesim, pa pasur nevojë për zhvillimin e proceseve gjyqësore.”
Përfshirja e kësaj dispozite plotësuese në Ligjin nr. 20/2020 do të konsolidonte përfundimisht regjistrin e pasurive të paluajtshme, do të mbyllte një burim potencial mosmarrëveshjesh shumëvjeçare dhe do të rikonfirmonte besimin e qytetarëve te dokumentet zyrtare shtetërore dhe veprimet noteriale.
Përfitime kryesore për sistemin e së drejtës dhe administrimin e pronave:
• Garanton titullin e pronësisë për qytetarët që kanë vepruar në mirëbesim të plotë me kontrata noteriale dhe regjistrime zyrtare gjate viteve ‘90 .
• Parandalon ngritjen e dhjetëra padive gjyqësore komplekse mes privatëve dhe shtetit, duke ulur mbingarkesën e gjykatave.
• Nuk krijon asnjë barrë të re apo kosto shtesë për buxhetin e shtetit, pasi detyrimi i kompensimit është pjesë e skemës ekzistuese të ATP-së.